Sulmet e grupit ekstremist Boko Haram në Nigeri dhe në vendet fqinje që gjenden në verilindje, i kanë detyruar më shumë se një milion fëmijë që ta braktisin shkollën.
Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara, tha sot se fëmijët atje e kanë braktisur shkollën nga frika se po abuzohen, po rrëmbehen apo po rekrutohen nga grupet e armatosura.
Konflikti sipas kësaj agjencie, i ka detyruar të mbyllen më shumë se dy mijë shkolla në Nigeri, Kamerun, Çad dhe Niger.
Disa nga objektet shkollore janë djegur e disa të tjera janë plaçkitur nga grupi kryengritës, emri i të cilit do të thotë “Edukimi perëndimor është mëkat”
“Konflikti ka qenë një goditje e madhe për arsimin në rajon dhe dhuna i ka detyruar shumë fëmijë ta lënë shkollën tash e më shumë se një vit, duke rrezikuar një braktisje të përhershme të shkollës nga ana e tyre”, tha sot Manuel Fontaine, drejtor i UNICEF-it për Afrikën qendrore.
Para se të filloj kriza, rreth 11 milionë fëmijë, sipas UNICEF-it, kanë qenë duke e vijuar shkollimin fillor.
Muajve të fundit, sipas kësaj agjencie, disa shkolla janë rihapur në verlindje të Nigerisë, por shumë nga klasat janë të mbipopulluara.
Sipas UNIFEC-it, ka edhe klasa që po përdoren si strehë për të zhvendopsurit.
Pasiguria, sipas agjencisë, i pengon edhe shumë mësues që të rikthehen në klasa.
“Rreth 600 mësues janë vrarë nga Boko Harami gjatë krizës 6 vjeçare”, ka njoftuar UNICEF.
Sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatës Amnesty International, rreth 20 mijë persona janë vrarë si rezultat i kryengritjes së grupit Boko Haram dhe më shumë se 2.3 milionë të tjerë janë zhvendosur.