Rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Avonet në Ferizaj ka shprehur shqetësimin për humbjen tragjike të jetës së të riut D.I nga fshati Talinoc i Jerlive të Ferizajt.
Sipas “Avonet” kjo vdekje aksidentale shton numrin e rasteve të tilla në regjionin e Ferizajt. Sipas disa të dhënave të prezentuara nga Policia e Kosovës – Regjioni i Ferizajt që nga viti 2005 deri në vitin 2016 numri i vdekjeve dhe lëndimeve aksidentale në vendin e punës, në rajonin e Ferizajt është 170, prej tyre 54 me fatalitet.
“Ky numër do të duhej të alarmoj institucionin e Inspektoriatit të Punës që të bëj punën e tij në adresimin e drejtë të çështjeve dhe shqetësimeve të grupeve apo individëve të ndryshëm. Përkundrazi, deri më tani është konkluduar se nuk ka inspektorë të mjaftueshëm për të bërë monitorimin e punimeve në ndërtesa të larta” thuhet në një kumtesë për media të rrjetit të OJQ-ve “Avonet”, transmeton Klan Kosova.