Ish-Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së Sylejman Selimi, në fjalën e tij para trupit gjykues në rastin Drenica 2, ku po akuzohet për krime lufte ka thënë se është i pafajshëm.
Selimi i njohur me nofkën “Sulltani” ka thënë se që tre vjet është duke e argumentuar pafajësinë e tij, ai gjithashtu në fjalën e tij ka mbrojtur vëllëzërit Dema, ku ka thënë se nuk kanë pasur përgjegjësi komanduese, njofton Klan Kosova.
“Po bëhen tre vjet qe po përballem me drejtësi, si para prokurorit si para Gjykatës Themelore e kam thënë qe jam i pafajshëm, këtë e kanë argumentuar edhe avokatët mbrojtës, edhe tash e them që nuk kam të bëjë me këtë vepër që më është ngarkuar. “
“Dua t’i them disa fjalë edhe për të akuzuarit, për mua familja Dema janë një familje e nderuar, këta pjesëtarë asnjëherë nuk i kam takuar në luftë. “
Ai ka folur edhe për familjen Demaku duke thënë se është një familje shumë e nderuar.
“Disa prej tyre i kam takuar në luftë në vende të ndryshme e në ofensiva të ndryshme që serbët i kanë pas. Por, përveç zotit. Jahirit që është këtu të tjerët asnjë nuk kanë pas përgjegjësi komanduese në luftë,” ka thënë Selimi në fjalën e tij mbrojtëse, njofton Klan Kosova.