Deputeti i PDK-së, Shaip Muja ishte i ftuar në rubrikën Ballë për Ballë në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova.
Muja tha se vazhdon të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës pavarësisht që ka shumë gjëra brenda partisë me të cilat ai nuk pajtohet.
“Pakënaqësitë që i kam shprehur janë adresuar që të diskutohen në kuadër të PDK-së, pres debat demokratik brenda PDK-së si për vërejtjet e mia ashtu edhe për problemet tjera”.
“Unë nuk jam larguar nga Grupi Parlamentar por nuk koordinohem me ta, më pranohet edhe me Kushtetutë që të jap mendimet e mia dhe të votuesve që më kanë sjellur në Parlament”.
Muja tha se ka ngritur shqetësimet e tij qysh nga hedhja për herë të parë e vezëve nga opozita në drejtim të kryeministrit të vendit, Isa Mustafa.
Ai tha se kryeministri Mustafa duhej të diskutonte marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe atë për demarkacionin para se të nënshkruante, njofton Klan Kosova.
“Vërejtjet e mia janë ngritur qysh nga shtatori i vitit 2015 dhe qëndrimi im ka qenë që kryeministri të mos vijë të raportojë post- festum por është dashur që ato propozime të demarkacionit dhe Asociacionit të diskutohen në komisionet e Parlamentit”.
“Unë kam kërkuar këtë dhe nuk kam marrë miratimin e deputetëve të LDK-së”.
“Komisioni për Planifikim Hapësinor ku unë marrë pjesë përfshin kufinjtë e brendshëm dhe të jashtëm që hyjnë në hapësirat e Kosovës dhe neve na takon si komision që të diskutojmë për këtë”.
Muja tha se Qeveria është dashur që të respektojë një rezolutë dhe të diskutohet e bisedohet në komisionet përkatëse të Parlamentit por kjo sipas tij është refuzuar.
“Për çudi kërkesa ime është refuzuar, kam dërguar edhe kërkesën me shkrim, kanë refuzuar për 3 muaj ndërsa kemi kërkuar edhe interpretim nga Kryesia e Kuvendit”.
“Kryesia ka sjellë vendim, Adem Salihaj thotë se ne kemi instruksione që të mos merremi me këtë punë, nuk po e kuptoj pse nuk po sqarohemi”.
“Adem Salihaj thotë se këtë rrëmujë e ka zhvilluar kryetari i Kuvendit, është e trupshme të thuhet se këtë situatë e ka sjellë kryetari”.
Ai ka shtuar se Qeveria ka shkelur një procedurë dhe nuk kanë ndjekur kornizat ligjore e sipas tij qytetarët kanë të drejtë të dijnë se çfarë ka ndodhur.
“Publilku ka nevojë të sqarohet, ne kemi të drejtë që në Komision të thërrasim shoqëri civile dhe ekspertë si dhe kemi të drejtë që përmes kryetarit të Kuvendit të kërkojmë ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar”.
Ai gjithashtu ka thënë se nëse kanë humbur 8000 hektarë tokë, Qeveria nuk mund ta marrë barrën për këtë sepse i ka besuar komisionit profesional për këtë punë.
Muja është shprehur se opozita ka të drejtë që po reziston.
“Aspekti ligjor nuk është zbatuar, ka drejtë opozita që po reziston”.
“I jap të drejtë opozitës por nuk pajtohem të rezistojë me tym e me gaz”.
Në fund, ai duke folur për zgjedhjen e mundshme të Hashim Thaçit president nuk ka treguar se si do të votojë por sipas tij Kosova ka probleme më të mëdha se kjo.
“Nuk jemi të detyruar për sforcim e as të detyruar të tregojmë publikisht se si do të votojmë“.
“Në rast se nuk i zgjedhim interpretimet lidhur me demarkacionin dhe Asociacionin, do të humbë kuptimi i zgjedhjes së presidentit”.