Erërat e fuqishme që kanë filluar nga dita e djeshme, e të cilat po vazhdojnë ende, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në komunën e Malishevës.
“Sipas asaj që shihet në terren, erërat kanë shkaktuar dëme në kulmet e shtëpive, shkollave, lokaleve afariste, por edhe në serra.”
“Është dëmtuar kulmi i shkollës në Mirushë dhe aneksi i kësaj shkolle, pastaj disa lokale afariste, serra dhe të tjera, kryesisht më të dëmtuar janë objektet e kulme llamarine, po ashtu janë dëmtuar edhe kulmet e shtëpive, ku ka thyerje të tjegullave, si dhe garazhe dhe të ngjashme”bën të ditur zyra për media e kësaj komune, transmeton Klan Kosova.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim pranë komunës së malishevës iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, pasi erërat po vazhdojnë dhe rreziku mbetet ende.
Bëhet e ditur poashtu se ekipet komunale të emergjencave, janë në terren dhe po bëjnë incizimin e gjendjes momentale..
Këto erëra erdhën pas vërshimeve të javës së shkuar që ndodhën në malishevë e që shkaktuan dëme deri në 1 milion euro.