Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, tha se zbatimi i marrëveshjeve midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ka shënuar përparim të konsiderueshëm.
Në raportin e fundit tremujor, që do të prezantohet më 25 gusht në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ban fajësoi të dyja palët për mospërmbushje të detyrimeve.
“Situata e tensionuar politike dhe protestat e opozitës kanë ndikuar në angazhimin e Prishtinës, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe procesi i formimit të qeverisë kanë ndikuar në vëmendjen e Beogradit”, thuhet në raportin që përfshin periudhën nga 16 prilli deri më 15 korrik, shkruan Radio Evropa e Lirë.