Angela Merkel, ka thënë të mërkurën se refugjatët nuk e kanë sjellë terrorizmin në Gjermani dhe se islami i përket këtij shteti përderisa praktikohet në përputhje me kushtetutën.
Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 1 milionë njerëz janë larguar nga lufta dhe varfëria në Lindje të Mesme dhe Afrikë , dhe kanë shkuar në Gjermani. Qëndrimi rreth tyre, është ashpërsuar për shkak të disa sulmeve që kanë ndodhur gjatë muajit të kaluar, tri prej të cilave u kryen nga emigrantët.
“Fenomeni i terrorizmit islamik, i Shtetit Islamik, nuk është një fenomen që erdhi te ne me refugjatët”, ka thënë Merkel në një kampanjë elektorale për Partinë e saj Demokristiane, që po garon në zgjedhje në regjionin Mecklenburg-Vorpommern, shkruan The Independent, transmeton Klan Kosova.
Ajo ka thënë se shumë njerëz kanë udhëtuar nga Gjermania në Siri, për të luftuar me militantët e ISIS-it.
Në qershor, Ministri i Punëve të Brendshme Thomas de Maizière, ka thënë se mbi 800 shtetas gjermanë, kanë shkuar në Siri dhe Irak.