Geeksvip është një faqe që kryesisht merret me krahasimin e gjërave dhe pastaj publikon përshtypjet e stafit varësisht se për çfarë bëhet fjalë.
Ky portal, që shpesh publikon shkrime satirike, ka bërë edhe një artikull ku shkruan për 30 vendet më të gërditshme që gjenden në botë.
Fatkeqësisht në mesin e këtyre 30 vendeve është edhe një objekt ikonik i Kosovës – Hoteli Grand, njofton Klan Kosova.
Hoteli Grand është futur në këtë listë duke u krahasur me vende si “Catacombs” në Paris, një rrjet i tuneleve të gjata nën qytet që besohet se është rreth 200 kilometra i gjatë.
Ajo që është e trishtueshme rreth këtyre tuneleve, është fakti se janë të ndërtuar nga kockat e trupave të rreth gjashtë milionë të vdekurve.
Në listë ka edhe vende si “Pylli i Vetëvrasjes” në malin Fuji në Japoni. Aty kanë mbytur vetën rreth 100 persona në 60 vjetët e fundit.
Vend tjetër në listë është edhe “Ilha da Queimada Grande” në Brazil, ose ndryshe i njohur si “Ishulli i gjarpërinjve”. Në këtë ishull shumë të vogël jetojnë mbi 4.000 gjarpërinj që kanë një helm shumë të fuqishëm e vdekjeprurës.
Madje në listë është edhe një hotel tjetër.
Hoteli “The Stanly” në Colorado ku janë regjistruar aktivitete paranormale qysh në vitet 70-ta.
Siç u kuptua, renditja nuk ka të bëjë shumë me pamjen e vendeve, sa ka të bëjë me atë çfarë ka ndodhur, ose ndodhë në ato vende.
Edhe arsyeja kryesore përse Geeksvip e ka vendosur Hotelin Grand në këtë listë nuk është pamja e tij – e cila edhe ashtu lë për të dëshiruar.
Në përshkrimin për Hotelin Grand thuhet; “Hoteli në qendër të kryeqytetit të Kosovës nuk është aq ‘i madh’ më. Gjatë luftës në Kosovë në vitet 90-ta, ushtria serbe kishte përdorur hotelin si një vend për torturimin e njerëzve dhe ekzekutimin e të burgosurve”.
Kjo ka qenë arsyeja përse Hoteli Grand gjendet në mesin e vendeve më të tmerrshme, apo gërditshme, për t’i vizituar, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv