Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se plani për ndërtimin e një kompleksi në Zveçan, pa lejen e Prishtinës zyrtare, është provokim i Qeverisë së Serbisë, njofton Klan Kosova.
“Ky është një provokim politik i Qeverisë së Serbisë. Është projekt i zhvilluar jashtë cdo diskutimi me organet e Qeverisë së Kosovës. Ne do të vendosim një komunikim zyrtar me organet komunale dhe do t’u bëjmë me dije se asnjë leje ndërtimore nuk mund të lëshohet pa koordinim”.
Ai ka deklaruar se serbët janë duke e keqpërdorur diskriminimin pozitiv që po u bëhet nga Kosova dhe se për çdo ndërtim, kudo në Kosovë, duhet përfillur rregullativa në fuqi.
“Ne e dimë situatën në veri të vendit dhe kompetencat që shteti i Kosovës u ka dhënë komunave në përgjithësi dhe diskriminimin pozitiv për ato në veri, të cilat janë duke e keqpërdorur këtë gjë. Por kjo gjë nuk do të na çekulibroj dhe do t’ua bëjmë me dije se një projekt i tillë nuk është i zbatueshëm. Nuk mund të lëshohet asnjë leje ndërtimore pa dokumentet përkatëse”.
Agani nuk e ka mohuar mundësinë e rrënimit të objekteve nëse nuk arrihet dakordim, por ka thënë se më parë do të tentohet që gjithçka të zgjidhet me dialog. Ai po ashtu ka vënë theksin tek pjesëmarrja e ministrave të Qeverisë së Kosovës në eveniment ishte rënie në provokim të Beogradit zyrtar.
“Është i paraparë edhe rrënimi, por nuk kemi nevojë që ta themi fjalën e parë, të fundit. Mendoj që kemi kapacitete ligjore dhe komunikim të vendosur me komunat në veri të vendit. Mendoj që ky është proces që mund të menaxhohet. Për fat të keq disa nga kolegët tanë, në Qeveri, janë bërë pjesë e provokimit të Qeverisë së Serbisë. Unë kam insistuar që në çdo cep të Kosovës ku bëhet kthimi i qytetarëve, të bëhet në pajtim me ligjin”.
“Duhet edhe ministrat , por edhe qytetarët e Veriut, ta kenë të qartë se vendi ku duhet t’i zgjidhin problemet e tyre është Prishtina”.
klankosova.tv