Sot është bërë pranimi teknik i punëve në objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik.
Në mënyrë simbolike përfaqësuesit e Fondacionit Kosovë Luksemburg ia dorëzuan çelësat e QKMF-së drejtorit Nejazi Ilazi.
Me këtë rast nënkryetari i kësaj komune Remzi Elezi falënderoi fondacionin për këtë investim të bërë në Kaçanik dhe në projekte të tjera në interes të qytetarëve të komunës.
Nga ana tjetër përfaqësuesi nga Fondacioni Kosovë- Luksemburg – Petrit Ahmeti, tha se realizimi i këtij projekti ishte një sfidë, por falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Komunën e Kaçanikut tashmë është bërë realitet dhe i plotëson të gjitha standardet e parapara të ndërtimit të një qendre moderne shëndetësore.
Objekti i tipit P+1 me sipërfaqe të përgjithshme prej 2400 metrash katrorë, ka kushtuar 1.245,000 euro, prej të cilëve Komuna ka ndarë 350,000 euro, Ministria e Shëndetësisë shumën prej 650,000 eurosh, Caritas 200,000 euro dhe Ambasada e Luksemburgut ka participuar me 45,000 euro, shkruan në faqen e kësaj komune në Facebook.