Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka marrë me shqetësim kërcënimin që sipas tyre i ka bërë AKP-ja mediumit , për lirimin e objekteve në të cilat ushtron veprimtarinë e vet transmetuesi publik.
“Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e sheh shqetësues, skandaloz dhe të papranueshëm faktin kur AKP-ja në letrën e saj përmend largimin me forcë duke përmendur këtu Policinë e Kosovës për largimin e punëtorëve të RTK-së nga objektet, duke i ngjasuar largimit të mëhershëm që u ka bërë shteti serb ish-kolegëve të RTP-së” thuhet në reagimin e kësaj sikndikate.
Lexoni më poshtë reagimin e plotë:
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka marrë me shqetësim kërcënimin që i ka bërë AKP-ja mediumit të vetëm publik RTK, për lirimin e objekteve në të cilat ushtron veprimtarinë e vet RTK.
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e sheh shqetësues, skandaloz dhe të papranueshëm faktin kur AKP-ja në letrën e saj përmend largimin me forcë duke përmendur këtu Policinë e Kosovës për largimin e punëtorëve të RTK-së nga objektet, duke i ngjasuar largimit të mëhershëm që u ka bërë shteti serb ish-kolegëve të RTP-së.
SPERTK shpreh gjithashtu shqetësim edhe me faktin që AKP e quan RTK-në si uzurpatore, kur dihet mirëfilli se ky medium publik këto objekte nuk i ka uzurpuar por ishte vendosur në to nga UNMIK-u më 1999.
SPERTK së kërkon urgjentisht nga themeluesi i RTK-së – Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria që të ndërmarrin masa të menjëhershme në zgjidhjen e financimit të pavarur të RTK-së, sigurimin e objektit të nevojshëm për RTK-në të ndihmojë në digjitalizimin e RTK-së dhe të mos lejojë presione nga agjenci si kjo e fundit që t’i kërcënojë kolegët tanë. Njëherësh krahas kësaj kërkese, SPERTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës që deri në një zgjidhje të qëndrueshme të sigurohen fonde të mjaftueshme për funksionimin normal të RTK-së.
SPERTK, vendimin e AKP-së e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë në punën e mediumit të vetëm publik RTK. SPERTK kërkon menjëherë të ndalen kërcënimet dhe shantazhet ndaj RTK-së si dhe paralajmëron që së shpejti do të organizojë protesta të vazhdueshme deri në plotësimin e kërkesave tona.