Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se ministria që e drejton ai do të vazhdojë ta përkrahë Institutin Albanologjik i cili sipas tij është shumë aktiv jo vetëm përmes botimeve individuale por edhe përmes konferencave .
Kështu Bajrami tha në hapjen e punimeve të konferencës tradicionale vjetore “ Java e Albanologjisë 7/2016 “ , të cilën e organizon Instituti Albanologjik i Kosovës.
“Kjo ngjarje është një mundësi e shkëlqyeshme për prezantimin e rezultateve dhe të arriturave shkencore te shkencëtarëve të rij dhe albanologëve të cilët çdo vit promovojnë punën e vet shkencore , këmbejnë përvoja dhe ngrisin standardet e studimeve për albanologjinë. Kjo konferencë gjithashtu është një mundësi që të krijojmë standarde kombëtare dhe të punojmë për internacionalizimin e studimeve për albanologjinë “, shtoi numri një i arsimit në Kosovë.
Ky i fundit gjithashtu tha se në mbështetje të Qeverisë së Kosovës , do të vazhdojnë të forcojnë studimet për Albanologjinë atu ku ekzistojnë, ndërsa aty ku nuk ekzistojnë t`i hapin katedrat, transmeton Klan Kosova.
Java e Albanologjisë “, do të zgjas 5 ditë ku do të prezantohen rreth 135 punime shkencore nga studiues të fushave të ndryshme.