Pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të ishte gabim, sepse kjo do të shkaktonte vetëm probleme, ka thënë Norbert Hofer, kandidat për president të Austrisë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, përcjellë Klan Kosova.
Hofer, i cili është kandidati i Partisë së Lirisë (FPO) për postin e të parit të këtij vendi konsideron se kur është fjala për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare “plagët janë ende të freskëta, si dhe problemet janë shumë të mëdha”.
Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Europian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të nxiste vetëm ndjenja negative.
“Mendoj se pranimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, në këtë moment do të krijonte më shumë probleme sesa do të zgjidhte”, ka thënë Hofer, njofton Klan Kosova.
45 vjeçari Hofer fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve për ta marrë timonin e kreut të Austrisë, por nuk mundi të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të siguruar postin pa qenë nevoja e një balotazhi i cili mbahet këtë të diel.
Ekstremisti i djathtë shihet si favorit në këto zgjedhje dhe nëse i fiton ato do të bëhet i pari kryetar shteti me prirje radikale në Bashkimin Evropian.
klankosova.tv