Një aksident i rëndë ka ndodhur në superstradën Fushë Krujë-Milot, ku si pasojë ka humbur jetën një person ende i paidentifikuar. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Gjorm të Kurbinit.
Viktima, i cili mendohet se mund të jetë rreth 50 vjeç teksa po lëvizte në këmbë në anë të rrugës është përplasur nga një automjet tip “Volswagen” me targa AA 955 HU që drejtohej nga shtetasi me iniciale P. V.
P.V., ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit, duke mos e parë viktimën që lëvizte në anë të rrugës. Goditja e fortë ka shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme të kalimtarit. Viktima e këtij aksidenti është dërguar në morgun e Spitalit të Laçit, ndërsa ende nuk është identifikuar pasi nuk i është gjetur asnjë dokument me vete, shkruan shekulli.
Policia rrugore e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes bëri të ditur se shkak për aksidentin është bërë errësira në rrugë dhe shpejtësia me të cilën lëvizte drejtuesi i mjetit që shkaktoj aksidentin.
Ky i fundit është ndaluar menjëherë nga policia dhe po merret në pyetje rreth ngjarjes.