Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në 17 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit ka deklaruar se fati i pazbardhur dhe misterioz i tij rëndon në ndërgjegjen tonë kolektive dhe na kujton për sakrificat e mëdha që janë bërë për të mundësuar ditët e lirisë dhe demokracisë që gëzojmë sot.
Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se profesor Hoti ka pasur kurajën që të flas hapur kur shumë të tjerë kanë heshtur, transmeton Klan Kosova.
Lexoni më poshtë postimin e tij të plotë në Facebook.
Kanë kaluar 17 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit, njërit prej heronjve më emblematik të luftës sonë për liri e pavarësi. Profesor Ukshin Hoti ka pasur kurajën që të flas hapur kur shumë të tjerë heshtnin duke u shndërruar në një shembull të rrallë të intelektualit patriot e trim që idealet i mbronte me këmbëngulje e vetëmohim.
Ai e ka trajtuar çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë në mënyrë shkencore e largpamëse duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën politike të popullit shqiptar. Mungesa e tij ka lënë një boshllëk të madh e të pazëvendësueshëm, jo vetëm në zemrat e familjarëve, miqve, studentëve dhe të kujtdo që e ka njohur, por edhe në mbarë botën intelektuale shqiptare.
Fati i pazbardhur dhe misterioz i mendimtarit tonë të shquar rëndon në ndërgjegjen tonë kolektive dhe na kujton për sakrificat e mëdha që janë bërë për të mundësuar ditët e lirisë dhe demokracisë që gëzojmë sot.