Të paktën pesë persona kanë mbetur të vdekur në Huston, qytetin e katërt më të madh në Amerikë, si pasojë e vërshimeve të mëdha në zonat rreth këtij qyteti, shkruan The Guardian, transmeton Klan Kosova.
Guvernatori i Texas, Greg Abbott, ka deklaruar gjendje emergjente, kjo pas vërshimeve të mëdha në zonat në afërsi të Huston, të cilat kanë përmbytur disa shtëpi si dhe rrugët kryesore janë të bllokuara.
“Shumë reshje të shiut në një periudhë shumë të shkurtër kohore, nuk kemi se ç’fare të bëjmë” ka deklaruar Kryebashkiaku i Huston, Sylvester Turner.
Vërshime të mëdha janë bërë pothuajse të përvitshme në këtë zonë në afërsi të nivelit të detit, për të cilat ekspertët kanë paralajmëruar fatkeqësi të mëdha.
Përmbytje dhe reshje më të mëdha janë parashikuar edhe për ditën e martë, një dite pas ngritjes së nivelit të ujërave për 50 cm.
Disa shtëpi janë të përmbytura, shkollat janë të mbyllura, si dhe ka shkyçje të energjisë elektrike gjë që ka bërë shumë persona të mbesin të ngujuar në shtëpitë e tyre.