Mirel Josa do të ketë luksin e përzgjedhjes në pjesën e dytë të sezonit, për më tepër në repartin e sulmit, aty ku ka gjashtë lojtarë të mirëfilltë për këtë pozicion.
Mirëpo, Hamdi Salihi, Sebino Plaku, Xhejms Adeniji, Renato Karlos (Renatinjo), Angel Orue dhe Arbër Abilaliaj luftojnë për vetëm dy vende, shkruan PanoramaSport.
Pa përfshirë këtu emra si Liridon Latifi dhe Valmir Nafiu, që janë dy lojtarë më tipare sulmuese dhe bëjnë rolin e mesfushorit të krahut, mund të quhet pa frikë një Skënderbe i frikshëm në aspektin ofensiv. Afrimi i Xhejmsit në ditën e fundit të merkatos e ka kënaqur trajnerin.
Dje, enkas për “Panorama Sport”, Josa konfirmoi se dyshja e sulmit do të jetë SalihiXhejms, çka do të thotë se lojtarët e tjerë duhet që ta bindin për të qenë titullarë. Një hall më vete tashmë është prania e shumë të huajve (8), teksa vetëm katër mund të luajnë nga minuta e parë. Megjithatë, për këto çështje, por jo vetëm, ja si shprehet trajneri i kampionëve:
Zoti Josa, fundi i merkatos ka sjellë afrimin e Xhejmsit dhe largimin e Ademirit, mirëpo në skuadër janë tetë të huaj. Mos ndoshta i keni bërë llogaritë gabim, duke qenë se do të luajnë vetëm 4 të huaj…
Këto lëvizje duhet të ishin bërë më parë. Nga lojtarët që kemi afruar në merkato, kishim një dyndje të huajsh në ekip dhe për këtë arsye vendosëm që Ademirin ta huazonim te Laçi. Xhejms është një lojtar që të gjithë e njohim dhe e dimë se çfarë është i aftë të bëjë, madje këto shenja i ka dhënë në fushë me fanellën e Laçit. Rendimenti i tij ka qenë shumë i kënaqshëm dhe kjo e bën të suksesshme këtë tratativë.
Thatë që duhet të ishte bërë më parë kjo lëvizje. Do të thotë se e keni kërkuar me ngulm afrimin e Xhejmsit?
Nuk është këtu problemi, sepse ne kemi kërkuar edhe lojtarë të tjerë në këtë merkato. Na duhej një sulmues që të zëvendësonte Olainkën dhe menduam se Xhejms është profili më i afërt. Kemi shfaqur interesim edhe më herët për Xhejmsin, por lëvizja nuk u bë shpejt, pasi ai ishte nën kontratë me Laçin. Gjithsesi, arritëm që të gjenim akordin.
Gjashtë sulmues për dy vende, cila do të jetë dyshja juaj e preferuar?
Për mua, tani për tani, në formacion është Salihi dhe Xhejms. Këto janë dy zgjedhjet e para të miat. Më pas, se çfarë do të ndodhë, do të shikohet hap pas hapi. Kjo do të varet shumë se kush do të tregojë formën më të mirë dhe kush do të jetë në fushë.
Emra si Renatinjo, Orue, Plaku, Abilaliaj etj., çfarë duhet të bëjnë për një vend titullari, pasi jo vetëm që mund të rrezikojnë stolin, por me këtë dyndje, atëherë ndonjë prej tyre mund të jetë në tribunë…
Normalisht që duhet të luftojnë për të zënë një vend në formacion, pasi konkurrenca në sulm është shumë e madhe, për vetë faktin që kemi disa lojtarë në dispozicion. Por duhet të dimë që nuk kemi kohë për shumë prova, pasi takimet janë të ngjeshura dhe s’ka më kthim pas në këto momente ku ndodhet kampionati.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Ne pësuam një humbje në Shkodër, e cila na ka djegur shumë në të gjitha drejtimet dhe do të shohim sesi do të rrjedhin gjërat pas kësaj ndeshjeje, qoftë në gjendjen psikologjike të ekipit dhe qoftë në mënyrën e lojës.
Me kritika është shoqëruar post-ndeshja me Vllazninë, çfarë ndodhi?
Normalisht unë i mirëpres analizat dhe kritikat për aq sa më takon, pasi pa analiza dhe kritika ekipi nuk mund të ecë përpara. Problemi i gjithi është se klubi nuk përbëhet nga trajneri dhe futbollistët, por edhe nga drejtues dhe të gjithë duhet të dinë përqindjen e gabimeve. Nëse një person di se ku ka gabuar, do të dijë edhe të rikuperojë pas këtij gabimi.
Edhe drejtuesit i bie të kenë gabuar…
Jo, aspak. Kjo nuk do të thotë se dhe drejtuesit kanë gabuar, por një ekip përbëhet nga shumë hallka dhe kur një punë nuk shkon mirë, kanë pjesën e tyre të gabimit. Çfarë prisni ndaj Kukësit? Nuk ka më ndeshje të lehta për ne. Duke i respektuar të gjithë kundërshtarët, qoftë Kukësin apo ekipet e tjera, do mundohemi të japim më të mirën tonë. Vetëm kështu do të ecim përpara.