Pengimin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës janë duke e bërë personat të cilët po hedhin molotov, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.
Ai nga Shtimja, ku mori pjesë në 17 vjetorin e themelimit të PDK-së në këtë qytet, tha se udhëheqjen e shtetit e cakton kutia e votimit e jo gazi lotsjellës.
“Parlamenti Evropian ka aprovuar MSA-në, mirëpo ne nuk po arrijmë të aprovojmë atë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shkak të gazit lotsjellës. Jemi të pavarur, mirëpo nuk duhet harruar se kurrë nuk është e tepërt të marrim këshilla nga miqtë tanë evropian dhe amerikanë”.
“Ata të cilët po hedhin molotov në drejtim të institucioneve kurrë nuk kanë marrë ndonjë vendim të mirë për ju qytetarë, mësues, invalid të luftës, të burgosur politik”, pohoi Thaçi.
Në këtë organizim ishte i pranishëm edhe kryeparlamentari i Kosovës dhe nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
Ai tha se pushteti serb në Kosovës ka marrë fund në vitin 1999 dhe kjo çështje është e mbyllur, derisa përmendi raste kur PDK-ja kishte vepruar me konstruktivitet edhe në kohën kur ishte në Opozitë.
Në takim kanë folur edhe kryetari i degës së PDK-së në Shtime, Fehmi Mujota, dhe anëtarë të tjerë të PDK-së.
klankosova.tv